Thursday, April 27, 2006

Poezi

11 Shtator



Të martën, o zot, ndodhin zezonat,
ndodh rënia, vdekja dhe humbja.
Të martave kalendari është i errët
vetë madhështitë bëhen të gjunjta.

Ndodh që kullat, o zot, shemben të martave
dhe një pluhur i trashë na e vjedh shikimin
të martave, good lord, dil ruaj shtigjet
nuk dihet se ç'qiell e sjell Antikrishtin.

Të martave shtatorase shtatoret rrëzohen
dhe shtetet pikëllohen ditëve të tilla.
Ka rrëmujë, ka mbytje, mijra mëdyshje;
ka njëmijë Karibda e dymijë Shilla.

Ndodh përmbysja të martën dhe hiçi tymon
dhe djalli përmes gërmadhash krenohet,
lëshona një shenjë, o zot i arsyes,
kuptimin, moskuptimin dhe diçkanë që s'shkon.

Në Manhatan, good Lord, bëmë shenja afrimi,
ngritëm qiellgërvishtës me kryqe në majë.
I thirrëm të gjithë të bënin strehë këtu;
çifutë, kinezë, europianë e arabë.

Pastaj thurëm këngë nën të gjithë tingujt,
ndërtuam dhe ylberin nën të gjitha ngjyrat,
statujën e Lirisë ngritëm dhe jo porta mbyllëse.
Hapëm të gjithë zemrat, për të gjitha fytyrat.

Kështu deri të martën kur nga i njëjti qiell,
nga e njëjta tokë dhe nga deti i gjithkujt
avionë-korba iu turrën shqiponjës,
apo strehës së përbashkët ku atë ditë patëm bujtë.

A qemë gabuar vallë në gjeografinë e gjërave?
Pyetëm dhe përpjetë e ngrimë shikimin
Prisnim andej rishfaqjen e Të Përgjakurit
andej një zezonë gatoi Antikrishtin.

Prapë mbi Nju-Jork mjegullojnë dilema
dhe pyetja amerikane ''vallë ç'është frika?"
kryqet përmbi kulla japinmarrin shenja
por kënga është një: "God bless America"

Sheshi Harvard, Kembrixh 13 shtator 2001

No comments: