Tuesday, May 08, 2007

Zbythja e “Aksionit civil”

Gazeta "Korrieri", E Diele, 08 Prill 2007

nga Alfred LELA

Po të jesh duke kërkuar fajtorët për atë çka ndodhi në Shqipëri në fund të ‘96-ës dhe fillim të ‘97-ës, periudhë e cila kulmoi me muajin mars, mos e zhvendos vëmendjen nga klasa politike. Të dy krahët e spektrit e celebrojnë marsin si muajin e tyre. Socialistët si shpëtimtar, ndërsa demokratët si viktima. Të parët madje, e kanë pasuruar pretendimin e tyre edhe me një libër të titulluar "Humnerë ‘97", autor i të cili është kush tjetër, zoti Bashkim Fino, ish-kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar. Në intermexo, të majtët na kanë shërbyer burrin e një gruaje që drejtoi një prej firmave piramidale bashkë me reagimet zinxhir të shkaktuara paskëtaj në mediat e Tiranës. Demokratët nga ana e tyre na e kanë ofruar shpëlarjen televizive të ndërgjegjes së tyre me anë të gjeneralit Agim Shehu dhe ish-shefit të SHIK-ut, Bashkim Gazidede. Përdorimi i historisë si mjet përfitimi politik nuk është as risi dhe asgjë për t’u qortuar. Shërbimi i një humbjeje të katërciptë me dëshirën e marrë për të ndërtuar kapital politik, është më shumë se një lapsus, shkurtpamësi. Nuk dihet pse kjo të kujton fqinjët tanë ballkanikë, serbët, të cilët ende e festojnë me zhurmëhuri e tamtame humbjen e ithët të Fushës së Mëllenjave. Marsi i 97-ës pavarësisht qasjeve, lëmimeve, emocioneve, qëllimeve politike nuk duhet trajtuar ndryshe, veçse si një datë kobzeze humbjeje. Madje e të gjitha formacioneve politike, e krejt shqiptarëve. Riciklimi i marsit të dhjetë viteve më parë është shqetësues, jo sepse ai përdoret si simbol politik në vetvete, por sepse përdoret si i tillë, me qëllim kërcënimin e kundërshtarit politik. Le të supozojmë (me apo pa të drejtë) se zoti Berisha është një udhëheqës i formave, mjeteve dhe gjuhës së ashpër politike dhe ai ka mbetur i pandryshuar që prej fillim viteve '90-të. Le të merremi me zotin Rama, i cili hyri në politikë nga dera e shoqërisë civile me skeptrin e individit, përfaqësues i frymës së re të të bërit politikë. (Të merremi me të, pikërisht për faktin se ai dhe pasuesit e tij pretendojnë se ai është e kundërta totale e kryeministrit Berisha). Le të merremi gjithashtu me interpretimin e shenjave, ngjashmëria e të cilave me episodet që kulmuan në marsin e '97-ës është e pashmangshme. Dy prej tyre janë sidomos të tilla; gjuha e kryetarit të opozitës dhe levat e krijuara për interpretimin e kësaj gjuhe. Edi Rama e kërcënoi mazhorancën në pushtet dhe specifikisht kryeministrin e vendit me fjalët: "Kujdes se ne dalim në rrugë dhe përsërisim ‘97-ën". Për ta emetuar këtë kërcënim në rrugë institucionale (lexo: OJQ-sh), kryetari i socialistëve na shërbeu "Aksionin civil". Fakti (dhe fati) se zotërinjtë M. Nano, A. Stefani nuk grumbulluan dot njerëz jashtë rrethit të tyre të kafesë së mëngjesit dhe nuk bënë dot revolucion (të vonuar demokratik) nuk e zbeh ngjashmërinë e Aksionit Civil me Forumin për Demokracinë të drejtuar prej treshes shumëngjyrëshe Lubonja, Gumeni, Kola. Në rastin e këtyre të fundit nuk mund ta injorosh se aksionet e tyre, pavarësisht shtysave politike, erdhën edhe si shprehje e zemëratës popullore pas rënies së piramidave. Një antikonformist si zoti Lubonja dhe dy ish-të përndjekurit politikë si Kola e Gumeni, përfaqësonin nevojën e përhershme për forca të treta, kur çdo vend a marrëdhënie është në krize të dukshme. Fabrikimi i "Aksionit civil" nëntë vjet pas '97-ës dhe dështimi i plotë i tij dëshmoi se krizat nuk ekzistonin, përveçse në kokat e atyre që mundoheshin të na i shisnin. "Aksioni Civil" nuk na shërben dhe aq për të na treguar jocivilizimin e klasës sonë politike dhe sejmenëve të saj, por diçka tjetër. Atë se qytetarët shqiptarë i kane nxjerrë mësimet prej 1997-ës dhe nuk janë gati të dalin në rrugë në fërshëllimën më të parë. Pompimi i marsit dhe thirrjet për përsëritjen e tij, gjithashtu na kujtojnë se e majta duhet të pranojë pjesën e saj të fajit për këtë pjesë të errët të historisë sonë të përbashkët. Sali Berisha në emër të së djathtës e ka bërë këtë. Jemi në shekullin e 21-të; kërcëllitjes së dhëmbëve, grushteve, nostalgjisë për dhunën dhe të gjitha mendësive të tjera bolshevike u ka vdekur ora.

No comments: